Biden spjegon tërheqjen amerikane nga Afghanistani

Presidenti Joe Biden mbrojti me forcë vendimin për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani dhe hodhi poshtë kritikat e shumta për tërheqjen kaotike që po paraqet një krizë për të.
Presidenti amerikan tha se misioni i Shteteve të Bashkuara asnjëherë nuk kishte pasur si synim shtetndërtimin. “Nuk ishte asnjëherë për të krijuar një demokraci të bashkuar dhe të centralizuar. Interesi ynë i vetëm jetik kombëtar në Afganistan vazhdon të jetë sot, ai që ka qenë gjithmonë – parandalimi i një sulmi terrorist në tokën amerikane”, tha Presidenti Biden. Ai e pranoi se ngjarjet u zhvilluan më me shpejtësi nga ç’ishte parashikuar, por fajësoi për marrjen e vendit nën kontroll nga Talebanët mungesën e gatishmërinë së ushtrisë afgane për të luftuar grupin ekstremist. “Udhëheqësit politikë të Afganistanit u dorëzuan dhe ikën nga vendi. Ushtria afgane u rrëzua ndonjëherë pa u përpjekur të luftonte. Trupat amerikane nuk mund dhe nuk duhet të bëjnë një luftë dhe të vdesin në një luftë të cilën forcat afgane nuk janë të gatshme ta bëjnë për veten e tyre”, tha ai. Ndërkohë kancelarja gjermane, Angela Merkel,tha se operacioni ushtarak në Afganistan, i udhëhequr nga SHBA-ja, ka arritur më pak rezultate sesa që ishte planifikuar. Duhet të nxirren mësime nga operacioni dy-dekadësh, tha Merkel, duke shtuar se në misione të tilla mbase duhet vendosur qëllime më të vogla. Kreu i partisë së Merkelit, Armin Laschet, e më herët e pati quajtur operacionin në Afganistan si “debatin më të madh” në historinë e NATO-s.
Presidenti francez Emanuel Macron e quajti gjendjen në Afganistan si “një sfidë për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, kundër një armiku të përbashkët”, ndërsa shtoi se Franca do të bëjë gjithçka që është e mundur në mënyrë që Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Evropa t’i përgjigjen bashkarisht situatës së re në Afganistan.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




