Afganistan, rreshjet e mëdha të borës marrin jetën e 4 fëmijëve

Botë | 6 vite më parë

Si pasojë e reshjeve të mëdha të borës, katër fëmijë e kanë humbur jetën në provincën qendrore Daikundi të Afganistanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët për AA njoftuan se ngjarja ndodhi në rrethin Keti në malësinë qendrore ku nxënësit e shkollave fetare u bllokuan në një grumbull dëbore.

Sipas kreut të autoritetit të menaxhimit të katastrofave, Assadullah Sarëari, fëmijët ishin duke shkuar në shkollë. Ai njoftoi se një ekip i shpëtimit u dërgua në zonë.

Ndërkohë, në provincën Bamyam ku rrugët e transportit mbeten të mbyllura që nga e premtja, reshjet e borës dhe rrëshqitja e tokës plagosën të paktën 15 persona, përfshirë gra dhe fëmijë.

Sipas të përditshmes lokale 8AM News, incidenti ndodhi në rrethin Yaka Olang ku disa shtëpi banimi u dëmtuan për shkak të reshjeve të mëdha të borës.

Një ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive njoftoi rihapjen e autostradës kryesore Salang pas disa ditësh mbyllje për shkak të borës së madhe. Kjo rrugë kryesore lidh të gjitha provincat veriore me kryeqytetin Kabul.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme