Haxhimali: Buxheti favorizon bashkitë e vogla. Po punohet për formulën që i përshtatet Censit

Ekonomi | 2 vite më parë

Bashkitë, popullsia e të cilave është rritur ndërmjet cens 2011 dhe cens 2023, do të marrin më shumë fonde në buxhetin e vitit që vjen në krahasim me bashkitë e tjera, të cilat kanë pësuar rënie të popullsisë. Censi i vitit 2023 rezultoi me ulje të numrit të popullsisë krahasuar me Censin e vitit 2011 me 397.852 banorë ose 14.21% më pak.

I ftuar në “Mirëmëngjesi Shqipëri” për t’u ndalur te prioritetet kryesore të Bashkive në ndarjen e fondeve për vitin 2025 ishte Agron Haxhimali, Drejtor ekzekutiv i Institutit të Bashkive.

Haxhimali u shpreh se 80% të buxhetit e përcakton numri i popullsisë. Në këtë kuadër, ai sqaroi se ndonëse numri i popullsisë ka rënë, qeveria nuk e ka ulur buxhetin për njësitë e qeverisjes vendore, përfshi këtu edhe ato bashki me numër popullsie në rënie.

“Censusi është dokument shumë i mirë, statistikë e certifikuar e cila i shërben institucioneve qendrore e lokale. Buxheti ka pasur një formulë që i referohet popullsisë

80% e këtij buxheti e përcakton numri i popullsisë. Nëse zbatojmë ligjin me korrektësi, nëse ka rënë numri i popullsisë do marrin më pak. Por ka ndodhur e kundërta dhe shumë mirë është bërë. Qeveria në fakt nuk e ka ulur buxhetin në total për njësitë e qeverisjes vendore dhe bashkitë me numrin e popullsisë në rënie. Por nëse do zbatonim Censin, këto bashki me të drejtë do merrnin më pak”, u shpreh ai.

Haxhimali bëri me dije se qeveria po punon me ekspertë të huaj, me një projekt të BE-së për të gjetur një formulë tjetër t’i përshtatet të dhënave të reja të Censit.

“Bashkitë duhet të përgatiten për të gjetur burime alternative. Buxheti i 2025 bashkitë e vogla i ka favorizuar. Qeveria po punon me ekspertë të huaj, me një projekt të BE-së për të gjetur një formulë tjetër t’i përshtatet të dhënave të reja të Censit. 3 kriteret për të përcaktuar  buxhetin sot janë: Numri i popullsisë; dendësisë dhe numrit të nxënësve. Asgjë nuk i është prekur bashkive të vogla nga kjo. Ajo që lë shumë për të dëshiruar për bashkitë shqiptare është se potenciali i të ardhurave të tyre nga 100% sot është 30-40%”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme