Rama: Shqipëria duhet të përballojë luftën për krahun e punës!

Kryeministri socialist Edi Rama për të dytën ditë rresht ka theksuar nevojën e përfshirjes së Shqipërisë në atë që ai e cilësoi “luftë për krahun e punës në Europë” dhe i bëri thirrje sipërmarrjes shqiptare të përfshihet dhe ta përballojë atë.
Duke folur të hënën në Forumin e Klimës së Biznesit, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, zoti Rama tha se kjo është një luftë që sapo ka filluar. ” Një luftë për krahun e punës që ne duhet me patjetër ta përballojmë dhe efekteve katastrofike të së cilës, ne duhet patjetër t’u mbijetojmë”, u shpreh kryeministri Rama.
Në këtë konteks kryeministri socialist Rama shpjegoi rritjen domethënëse të pagave në sektorin publik. “Kjo rritje pagash në sektorin publik, ne jemi të bindur që do të japë një sërë efektesh pozitive, por shpresojmë shumë që të japë edhe efektin pozitiv dhe të rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat” tha ai. .
Zoti Rama vlerësoi se sipërmarrja shqiptare e ndjen mungesën e mjaftueshme të kapitalit njerëzor. “Krahu i lirë i punës nuk mund të jetë më një element konkurrueshmërie dhe me krahun e lirë të punës nuk mund të bëhet më biznes” shtoi ai.
Zoti Rama vlerësoi pozitivisht që shumica e kompanive, po kalojnë në një tjetër nivel të prodhimit të tyre duke e lënë pas historinë e punës me vetfitim, me material porositësi dhe duke kaluar në produktet “Made in Albania”. “E njëjta gjë vlen për të gjithë sektorët”, tha zoti Rama.
“Ajo që sot është domosdoshmëri, është një aleancë me bindjen që ky është një moment me rëndësi strategjike për të ardhmen e ekonomisë së vendit tonë dhe çdo sipërmarrje. Në këtë moment kthese të rëndësishme, Shqipëria t’i qëndrojë kësaj stuhie, e cila vetëm sapo ka filluar, por do të vijë duke u fuqizuar” tha kryeministri.
Duke kujtuar se Gjermania kërkon 7 milionë njerëz jashtë sistemit të saj të lindshmërisë për ta bërë rezistente ekonominë e saj deri në 2030, kryeministri Rama tha se “ne i kemi të gjitha mundësitë t’i mbijetojmë kësaj stuhie”. “Ky është një moment kur sipërmarrja duhet të bëjë një hap më shumë. Fakti është që sot ka sipërmarrje në Shqipëri që kanë paga shumë të larta dhe që vazhdojnë t’i rrisin pagat, por duhet vrapuar më shumë, sepse është vërtetë një luftë me sekondin” i bëri thirrje kryeministri biznesit shqiptar.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



