Administrata Trump, rregulla të reja, lidhur me vizat për studentët e huaj dhe gazetarët

Amerikë | 1 vit më parë

Administrata Trump njoftoi një rregull të propozuar që synon t’i japë fund abuzimit me vizat e studentëve të huaj dhe mbajtësve të tjerë të vizave. Ky rregull do të kufizojë kohën e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, duke rritur sigurinë dhe duke lehtësuar barrën mbi qeverinë federale.

Sipas njoftimit, rregulli i ri i propozuar do të kufizojë kohën e lejuar për qëndrim në SHBA për studentët e huaj, profesorët, mjekët, dhe mbajtës të tjerë të vizave pa shqyrtim dhe verifikim shtesë. Një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) tha se “për një kohë shumë të gjatë, administratat e kaluara kanë lejuar studentët e huaj dhe mbajtësit e tjerë të vizave të qëndrojnë në SHBA praktikisht për një kohë të pacaktuar, duke paraqitur rreziqe për sigurinë, duke u kushtuar shuma të panumërta dollarëve të taksapaguesve dhe duke i disavantazhuar qytetarët amerikanë.”

Ky propozim shfuqizon praktikën e vendosur që nga viti 1978, ku studentët e huaj (me vizë F) pranoheshin në SHBA për një periudhë të pacaktuar, e njohur si “kohëzgjatja e statusit”. Kjo periudhë e pacaktuar u ka lejuar disa studentëve të huaj të shfrytëzojnë sistemin, duke u regjistruar vazhdimisht në kurse për të qëndruar në vend, duke u bërë kështu “studentë të përjetshëm.”

Sipas rregullores së re të propozuar, qeveria federale do të caktojë periudha të autorizuara pranimi dhe zgjatjeje për studentët e huaj deri në kohëzgjatjen e programit në të cilin ata po marrin pjesë, por jo më shumë se një periudhë katër-vjeçare. E njëjta logjikë do të zbatohet edhe për përfaqësuesit e mediave të huaja, të cilët do të pranohen për një periudhë 240-ditore, me mundësi zgjatjeje për të njëjtën kohë, por jo më shumë se kohëzgjatja e detyrës së tyre, shkruan rtsh.al.

Ndryshimi kërkon që studentët e huaj dhe vizitorët e tjerë të aplikojnë për autorizim për të zgjatur qëndrimin e tyre nëpërmjet Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS). Kjo do t’i japë DHS-së mundësinë të kryejë vlerësime të rregullta dhe mbikëqyrje, duke bërë informacionin e nevojshëm më të arritshëm dhe duke zvogëluar numrin e individëve që qëndrojnë në vend me viza pa shqyrtim të mëtejshëm.

Rregulli i propozuar u propozua për herë të parë gjatë presidencës së Trump në vitin 2020, por u tërhoq nga Administrata Biden në vitin 2021. Ky njoftim i ri përshkruhet si një veprim për t’i dhënë fund dëmit që i është shkaktuar qytetarëve dhe taksapaguesve amerikanë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme