Afera e incineratorëve-Gjykata e Posaçme e Apelit rikthen për rigjykim çështjen e ish-deputetit Bllako

Aktualitet | 1 vit më parë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka prishur vendimin e shkallës së parë ndaj ish-deputetit Alqi Bllako që e ka dënuar e 4 vite burg, duke e rikthyer çështjen për rigjykim, ku Bllako akuzohet për aferën e incineratorëve.

Pasi ka shqyrtuar ankimin e SPAK-ut dhe të Alqi Bllakos, apeli i Gjykatës së Posaçme dha vendimin duke urdhëruar që çështja të rikthehet për rigjykim në Shkallën e Parë nga një tjetër trupë gjykuese.

Në apelimin e vendimit të Shkallës së Parë, Alqi Bllako kishte kërkuar pafajësi me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihet akuzë e tillë.

Më 11 mars të këtij viti, Bllako u dënua me 4 vite burg nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion dënim i cili zbriti në 2 vite e 8 muaj për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar dhe u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv” në dy raste.

Më herët, Alqi Bllako është dënuar me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Gjykata e Posaçme e Apelit në atë atë shkallë së parë.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare),  më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 50 akti, datë 17.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.B., ndaj vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Prishjen e vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke u urdhëruar dërgimi i akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme