Agresioni me thikë në kishën e Sidneit, policia australiane: Ishte sulm terrorist

Policia australiane e ka konsideruar si akt terrorist sulmin e së hënës në një kishë në Sidney teksa u arrestua një djalë 16-vjeç.
Ai akuzohet se sulmoi me thikë peshkopin, një prift dhe disa besimtarë gjatë meshës në kishën Asirian Christ. Të sulmuarit pësuan lëndime por janë jashtë rrezikut për jetën.
Sulmi u kap edhe në transmetim të drejtpërdrejtë të kishës. Hetimet janë në zhvillim e sipër por policia thotë se është e bindur se bëhet fjalë për një rast të ekstremizmit fetar.
Autoritetet kanë refuzuar vazhdimisht të deklarojnë besimin fetar të agresorit. Kisha e ka emëruar priftin At Isaac Royel dhe peshkopin Mar Mari Emmanuel. I shuguruar në vitin 2011, Peshkopi Emmanuel shihet si një figurë popullore dhe e diskutueshme dhe predikimet e tij marrin miliona shikime në mediat sociale.
Kur videot e sulmit u bënë virale në internet turma të mëdha njerëzish kërkonin hakmarrje. Ata u përleshën dhunshëm me policinë, e cila po ruante kishën ku agresori po mjekohej nga urgjenca.
Dy oficerë u plagosën, njëri me nofullën e thyer pasi u godit me tulla dhe u shkatërruan 10 makina policie.
Kryeministri Anthony Albanese ka thirrur një mbledhje urgjente të agjencive të sigurisë kombëtare, duke e cilësuar sulmin si tejet shqetësues.
“Ne jemi një komb paqedashës… Nuk ka vend për ekstremizëm të dhunshëm. Në përpjekje për të shuar dhunën e mëtejshme, ai kërkoi që njerëzit të mos e marrin ligjin në duart e tyre”, tha Albanese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




