Aksident i rëndë në Lushnjë-Fier, makina përplaset me furgonin, disa të lënduar

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një aksident i rëndë është regjistruar në autostradën Lushnjë-Fier, në vendin e quajtur “Pushimi i Shoferit”, ku një automjet tip Volkswagen është përplasur me një furgon që transportonte udhëtarë në drejtim të jugut të vendit.

Sipas të dhënave paraprake, për të shmangur përplasjen me automjetin, drejtuesi i furgonit ka devijuar nga trajektorja dhe është përplasur me barrierat metalike anësore të autostradës.

Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar lëndimin e disa prej udhëtarëve që ndodheshin në furgon. Dy prej tyre kanë marrë ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për trajtim mjekësor.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për dokumentimin e aksidentit, zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në përplasjen e dy automjeteve.

  • Policia po ashtu po merr masa për disiplinimin e qarkullimit dhe menaxhimin e trafikut në këtë aks rrugor.

    Kryqëzimi në zonën e “Pushimit të Shoferit” konsiderohet prej kohësh një pikë problematike për sigurinë rrugore, ku janë regjistruar aksidente të shumta. Pavarësisht problematikës së përsëritur, sipas banorëve dhe drejtuesve të automjeteve, zona nuk ka pësuar ndërhyrje të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e sigurisë rrugore.

    Grupet hetimore vijojnë punën për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkakun e saktë të aksidentit.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme