Aksident në aksin Lushnjë-Berat, makina përmbyset në kanal, plagoset një pastor i huaj

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një aksident ka ndodhur pak minuta më parë në Çukas, pranë Urës së Kuçit, në Berat, në aksin rrugor Lushnjë-Berat.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Dacia” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor, duke u përmbysur. Si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, një shtetas i huaj 32-vjeçar, i identifikuar si pastor. Për shkak të përmbysjes, dyert e automjetit janë bllokuar dhe për nxjerrjen e drejtuesit nga makina është dashur ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës. Punonjësit e zjarrfikëses kanë prerë pjesë të llamarinës së automjetit dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e 32-vjeçarit.

Fatmirësisht, kanali ku përfundoi automjeti nuk kishte ujë, çka shmangu një rrezik edhe më të madh për jetën e drejtuesit. I plagosuri është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lushnjës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak mund të ketë qenë shpejtësia ose një parakalim i gabuar nga drejtuesi i automjetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme