Aksidentet rrugore me monopatina – Në 6 muaj 49 ngjarje, mbi 700 masa administrative
Dyzet e nëntë aksidente rrugore janë regjistruar në Tiranë nga janari deri në fund të qershorit, ku të përfshirë kanë rezultuar drejtues të motomjeteve elektrike.
Policia saktëson, se numri i ndëshkimeve ndaj tyre është rritur, ku vetëm gjatë periudhës janar–maj 2025 janë dhënë 721 masa ndëshkuese.
Të dhënat e Policisë së Tiranës saktësojnë, se këto ngjarje rrugore kanë ndodhur në zona të ndryshme kryeqyteti, aty ku edhe dendësia e trafikut është edhe më e lartë.
Të gjitha këto raste kanë qenë aksidente me dëme materiale, pa pasoja të rënda në njerëz, përjashtim bën rasti i pak ditëve më parë ku të plagosur mbetën tri të mitur, njëri prej të cilëve ishte në gjendje të rëndë.
Po sipas të njëjtave të dhëna, në të gjitha rastet, drejtuesve të monopatinave u janë vendosur masa administrative (gjoba), në përputhje me parashikimet e Kodit Rrugor dhe rregulloret në fuqi për qarkullimin e mjeteve elektrike.
Të dhënat nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur, se gjatë gjithë vitit 2024 u regjistruan 20 aksidente me monopatina në të gjithë vendin.
Tirana rezultoi me numrin më të lartë, me 13 ngjarje rrugore, ndërsa në 11 qarqet e tjera u raportuan edhe 7 aksidente të tjera.
Të njëjtat burime saktësojnë, se gjatë vitit 2024 u vendosën 192 gjoba me vlerë nga 250 në 1000 lekë, ndërsa vetëm gjatë periudhës janar–maj 2025, u vendosur 721 masa ndëshkuese, një rritje gati 4 herë më shumë në vetëm 5 muaj.
Gazetare: Flutura Tota
/rsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




