Aksidenti në Durrës, Braçe: Është vrasje! Të ndryshohet Kodi Rrugor dhe ai Penal

Aktualitet | 6 muaj më parë

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar ndryshime në Kodin Rrugor dhe atë Penal, duke propozuar që aksidentet e shkaktuara nga drejtues mjetesh nën efektin e alkoolit të klasifikohen si “vrasje me dashje”.

Duke iu referuar ngjarje së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, Braçe tha se raste të tilla nuk duhet të trajtohen më si shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor apo aksidente.

“Vrasje me dashje për mua, dhe asnjëherë aksident apo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. E përsëritur në rrugë kombëtare apo vendore, qytetesh e lagjesh dhe fshatrash. Dje kam publikuar një video të aksidentit me një arsye: refuzimin për të normalizuar një krim të tillë. Në fakt, baza ligjore që kemi, Kodi Rrugor e më pas ai Penal, e normalizojnë me një standard normalizues. Një i pirë, për më keq një i dehur që nget një makinë në rrugë, ndalohet, shoqërohet, dërgohet në paraburgim. Në çdo rast është liruar apo lirohet pas 2 ditësh. Procedimi i tij vijon në liri. I hiqen pikë nga patenta dhe ngarkohet me një gjobë”, tha Braçe.

Braçe shprehu shqetësimin se “edhe në rastet e përsëritura, pezullimi i lejes së drejtimit zbatohet në mënyrë të kufizuar dhe shpesh shmanget përmes pagesës së gjobave“. Sipas deputetit, ky realitet ligjor krijon një “normalizim të rrezikshëm” të sjelljeve të tilla në rrugë.

“Morali është që ti mund të pish, të ngasësh makinën, të dalësh, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente, e më tutje, nëse ke para, paguan në çast dyfishin e gjobës dhe pezullimi i patentës nuk ndodh. E bën dy herë; në mënyrë të përsëritur shkon deri në 18 muaj pezullim të patentës, e njësoj deri në tre herë. Nga 0.73, siç ishte i dehuri i kësaj radhe, në 0.70 i hiqen vetëm 10 pikë.

Ndërkohë ai po hetohet për shkelje të rregullave, drejtim në mënyrë të parregullt, largim nga vendi i ngjarjes. Ky është profili që përcakton kodi, në referencë të asaj që është votuar këtu shumë kohë më parë. Kjo nuk është shkelje e rregullave, kjo është vrasje. Nëse duam të bëjmë diçka, gjëja e parë është që ndryshimet në Kodin Penal të formulojnë pikërisht vrasjen me dashje”, tha Braçe.

Aksidenti me pasojë vdekjen e dy fëmijëve dhe plagosjen rëndë të një tjetri ndodhi pasditen e së dielës në zonën e njohur si ish-Këneta në Durrës. Ngjarja tragjike ndodhi kur një automjet doli nga kontrolli dhe përplasi të miturit teksa po luanin në trotuar. Nga aksidenti i rëndë humbën jetën dy fëmijë të moshës 10 dhe 12 vjeç, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua në spital.

Drejtuesi i automjetit, 57-vjeçari Nikoll Radaçi që shkaktoi aksidentin e rëndë rezultonte i dehur. Ai u arrestua nga policia ndërsa mësohet se ai kishte pasur më herët probleme me shkelje të rregullave të qarkullimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme