Aksidenti tragjik me 2 viktima, Hita pezullon nga detyra 3 drejtues të Policisë Durrës për performancë të dobët

Aktualitet | 6 muaj më parë

Një ditë pas aksidentit tragjik që tronditi Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur pasi u përplasën nga një automjet i drejtuar nga 57-vjeçari N.R., Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka marrë masa të menjëhershme administrative.

Hita ka pezulluar nga detyra për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave disa drejtues të Policisë në Durrës: Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë, Afrim Tafa, Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj, si dhe Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.

Menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi gjithashtu ngritjen e një grupi ekspertësh nga strukturat e Policisë Rrugore, të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi nga ana e punonjësve të policisë lidhur me këtë rast të rëndë.

“Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:    

-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;           

-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;  

-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.            

Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje  për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.          

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast”, thuhet në njoftim.

Aksidenti i rëndë u regjistrua pasditen e djeshme (3 maj) në zonën e njohur si ish-Këneta. Fatkeqësisht, dy të mitur humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa një tjetër, vetëm 8 vjeç, mori plagë të rënda. Ai ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar reagime të shumta për problematikën e sigurisë rrugore dhe nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme