Aksidenti tragjik në Durrës, AMA thirrje medieve: Respektoni dinjitetin njerëzor

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) i ka bërë thirrje gazetarëve dhe drejtuesve të mediave lidhur me mënyrën e raportimit të ngjarjeve të rënda dhe tragjike.
I ndikuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në Durrës, ku një automjet i drejtuar nga një 57-vjeçar përplasi tre të mitur, duke i marrë jetën dy prej tyre dhe duke lënë një tjetër në gjendje të rëndë, AMA shpreh shqetësimin se në disa raste raportimi mediatik ka kaluar kufijtë etikë, duke e kthyer, sipas saj, dhimbjen njerëzore në objekt sensacioni dhe klikimesh.
AMA nënvizon se gazetaria duhet të ruajë dimensionin njerëzor, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe duke ndarë informacion pa e kthyer atë në traumë për publikun.
Publikimi i AMA-s:
THIRRJE PËR GAZETARËT DHE DREJTUESIT E MEDIAVE!
Mjaft! Kjo që po ndodh nuk është gazetari – është abuzim me dhimbjen njerëzore. Nuk është informim kur dhuna, tragjedia dhe fatkeqësia kthehen në uri për klikime.
Të “vrasësh” dhe rivrasësh, të ekspozosh plagë të hapura dhe të ushqesh publikun me ulërima dhimbjeje dhe tronditjen njerëzore, është shkelje e rëndë e etikës dhe e çdo standardi.
Gazetarë dhe drejtues të mediave mbani përgjegjësi! Ju nuk jeni vetëm transmetues lajmesh – jeni formësues të ndërgjegjes publike. Çdo fjalë e papërgjegjshme lëndon, çdo titull i tepruar dëmton, çdo kufi i kaluar rrënon besimin te Ju!
Respektoni dinjitetin! Mbroni viktimat. Ndani informacion, jo traumë. Nëse gazetaria humbet njerëzoren, ajo humbet gjithçka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




