Aktivizohen dy vatra zjarresh, në Himarë ndërhyhet nga ajri, në Lezhë digjen mbetje inertesh

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu zonën pranë magazinave të Bashkisë Lezhë, përgjatë aksit rrugor Lezhë-Milot, pranë të kryqëzimit të Rriles.
Flakët u shfaqën në orët e para të së dielës dhe përfshinë një hapësirë të gjerë me mbetje inertesh, duke shkaktuar një re të dendur tymi që u përhap në zonat e banuara dhe rrugën nacionale. Forcat zjarrfikëse, punuan për disa orë për vënien nën kontroll të situatës dhe shuarjen e flakëve, që rrezikuan dhe magazinën përreth.
Ndërkohë, një zjarr u shfaq të dielën në Himarë, ku flakët përfshinë kodrën mbi Llaman. Për shuarjen e flakëve u angazhuan zjarrfikësja të Himarës e Dhërmiut dhe po kryhet gjithashtu ndërhyrje nga ajri nëpërmjet helikopterit të Emergjencave Civile.
Zjarri ka prekur sipërfaqe me shkurre, ndërsa tymi ka krijuar shqetësim edhe për pushuesit. Ndërkohë, të dielën u riaktivizua zjarri, i cili përfshiu gjatë së shtunës, kodrat me ullinj në Pilur.
Emergjencat Civile nisën ndërhyrjen nga ajri ndërsa zjarri po favorizohet nga era dhe ka përparuar duke djegur shkurre por dhe pemë që ndodhen në atë zonë, por duke u ngjitur edhe me lart në mal.
15 forca të zjarrfikëses së Himarës, punonjës së policisë së komisariatit dhe bashkisë së Himarës por dhe emergjencat civile po luftojnë për ta shuar zjarrin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




