AKU intensifikon kontrollet, plan masash për festa, monitorim i shtuar në pikat doganore
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka hartuar një plan të posaçëm masash në kuadër të festave të fundvitit, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Sipas titullarit të këtij institucioni, Ramir Haderi, në fokus të këtij plani janë subjektet me risk të lartë.
Paralelisht, AKU Shkodër po ushtron monitorim të shtuar edhe në pikat doganore, ku po kontrollohen me rigorozitet produktet ushqimore që hyjnë në vend.
“Është rritur monitorimi në terren i gjithë subjekteve. Subjektet me risk të lartë janë pjesë e inspektimeve tona, po ashtu etiketimi dhe licencimi i produkteve. Gjithashtu edhe pika doganore e Hanit të Hotit që është nën kontroll të vazhdueshëm prej inspektorëve tanë” – u shpreh Ramir Haderi, Drejtor i AKU-së Shkodër.
Gjatë këtij muaji, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë 4 masa paralajmëruese ndaj subjekteve që kanë rezultuar me shkelje gjatë kontrolleve në terren. Çdo masë është vendosur në bazë të legjislacionit në fuqi, në përputhje me nivelin e shkeljeve të konstatuara.
“Po shohim për etiketimin e produkteve, datat e skadencës. Për këtë muaj kemi marrë katër masa paralajmëruese për subjektet. Çdo masë është e parashikuar në bazë të ligjit të ushqimit dhe ligjit të inspektimit.”
AKU bën thirrje për bashkëpunim nga ana e subjekteve tregtare, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje që cenon sigurinë ushqimore, duke theksuar se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë periudhës së festave.
Gazetar: M. Rakaj /rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




