Akuzat e opozitës lidhur me pezullimin e vizave migratore, Spiropali: Përgjigjen e morën përmes ftesës së Trump
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se ftesa e Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes vërteton se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë një partneritet strategjik. Ajo e konsideroi këtë ftesë si një përgjigje të qartë ndaj akuzave të opozitës se vendi do të ishte futur në “listën e zezë” të SHBA-së pas pezullimit të vizave migratore.
“Kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë fabrikimet lidhur me qasjen e administratës Trump ndaj qeverisë tonë apo vetë kryeministrit, të cilat kulmuan me dezinformatat për vendimin e rishikimit të politikës të qëndrimit të lejeve të punës për gati gjysmën e vendeve që SHBA ka marrëdhënie diplomatike. Ata që u turrën ta helmojnë publikun se SHBA na vendosi në listën e zezë, e kanë marrë përgjigjen, as më shumë e as më pak, por direkt nga Trump që ka nënshkruar në letër se Shqipëria është partner i mrekullueshëm”, tha Spiropali.
SHBA vendosi pezullimin e vizave për emigrim për 75 vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Megjithatë, kryeministri Edi Rama ka sqaruar më parë se bëhet fjalë për pezullim të përkohshëm të lejeve të qëndrimit për punë në Amerikë, dhe jo për vizat e udhëtimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




