Al Khelaifi del i pafajshëm

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaïfi, është shpallur i pafajshëm në apel nga drejtësia zvicerane për ‘FIFA Gate’, siç raporton gazeta L’Équipe. Gjykata Federale e Bellinzone ka vendosur në favor të emirit të Katarit, ashtu siç bënë Gjykatat e Shkallës së Parë në vjeshtën e vitit 2020, për procesin e marrjes së të drejtave televizive të Kupës së Botës për BeIN Media Group, një televizion në pronësi të liderit të klubit parizien. Procedura gjyqësore e shkallës së dytë, e nisur në fillim të marsit, ishte kryer përmes Ministrisë Publike të Konfederatës Zvicerane, e cila kishte kërkuar 28 muaj burg për Nasser Al-Khelaïfi për veprën penale të “konkurrencës së rënduar të pandershme”.

“Klienti ynë është shpallur i pafajshëm për herë të dytë në këtë rast. Kjo është një tjetër fitore shumë e rëndësishme, e marrë këtë herë në gjykatën më të lartë të drejtësisë zvicerane”, ka thënë avokati zviceran i presidentit të PSG-së. Nga ana tjetër, i akuzuari tjetër në këtë proces, Jerome Valcke, ish-sekretar i përgjithshëm i FIFA-s, është dënuar nga gjykata zvicerane në shkallë të dytë me 11 muaj burg, me kusht, ndërsa Ministria Publike e Konfederatës kishte kërkuar dënim me 35 muaj burg. Së fundi, greku Konstantinos Nteris, i pandehuri i tretë, është dënuar me dhjetë muaj burg me kusht.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme