Alarm i rremë për bombë në një qendër tregtare në Tiranë

Një kërcënim për vendosjen e një sasie lënde plasëse ka vënë në lëvizje të menjëhershme strukturat e Policisë së Shtetit në kryeqytet. Alarmi, i cili pas verifikimeve rezultoi i rremë, kishte në shënjestër një qendër tregtare në Tiranë, duke shkaktuar angazhimin e menjëhershëm të njësive të specializuara të sigurisë.
Sipas njoftimit paraprak të Drejtorisë Vendore të Policisë (DVP) Tiranë, sinjalizimi u regjistrua rreth orës 20:10. Ka qenë shtetasi me inicialet A. D., me detyrë shef i sigurisë (security) në qendrën tregtare, ai që ka njoftuar sallën operative. Ai ka raportuar se në adresën e tij të postës elektronike kishte mbërritur një mesazh, në të cilin pretendohej se në ambientet e qendrës ishte vendosur eksploziv që do të shpërthente në orën 20:30.
Ndërhyrja e njësive të specializuara
Duke marrë shkas nga shkalla e rrezikshmërisë që paraqesin këto raste, në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë shërbimet e Policisë, të mbështetura nga Forcat Xheniere (njësia antieksploziv) dhe oficerët e Antiterrotit.
Autoritetet kanë kryer një kontroll të imtësishëm të të gjithë perimetrit dhe ambienteve të brendshme të qendrës tregtare. Në përfundim të operacionit të krehjes së zonës, policia konfirmoi se nuk u konstatua asnjë mjet shpërthyes apo material tjetër i paligjshëm, duke e klasifikuar ngjarjen si një alarm të rremë.
“Rreth orës 20:10, shtetasi A. D, ka njoftuar sallën operative të DVP Tiranë se në email e tij ka ardhur një mesazh se në qendrën tregtare ku ai punon si shef security është vendosur një sasi lëndë plasëse, e cila do shpërthejë në orën 20:30. Menjeherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe shërbimet e Antiterritorit, të cilët kanë kontrolluar qendrën dhe nuk kanë konstatuar asgjë të paligjshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Situata tashmë konsiderohet e sigurt, ndërkohë që ngjarja ka kaluar në duart e oficerëve të Krimeve Kibernetike dhe grupit hetimor. Puna është përqendruar në gjurmimin e adresës së email-it nga ku u dërgua mesazhi, me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit që kërkoi të provokonte panik publik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



