“Albania Open Challenge”, tjetër trofe në Padel

Albania Padel Group vazhdon ta zhvillojë gjerësisht aktivitetin e saj, ndërsa tanimë ka mbërritur në numrin katër të veprimtarive që nga dhjetori kur është inauguruar zyrtarisht. Pikërisht në kapanonet në fshatin Stërmas në Tiranë, që nga kjo e hënë ka nisur “Albania Open Challenge”. Por çfarë ka ndryshe ky aktivitet nga të tjerët?
“Këtë herë e kemi quajtur Albania Open Challenge për t’i dhënë mundësi çdokujt që të garojë e të konkurrojë. Kemi patur mbi 50 çifte të regjistruara, por në fund kemi zgjedhur 32 të parët, të cilët do të përfaqësohen nga 64 sportistë. Vijnë nga të gjitha anët. Jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia. Është një turne që po zhvillohet dalëngadalë dhe qëllimi është që ta bëjmë ndërkombëtar”.
E ndërkohë për çdo aktivitet Albania Padel Group ka dhe pritshmëritë e veta. Palini zbulon, ndërsa ka pranuar dhe të luajë edhe vetë.
“Këtë herë do të jetë një sfidë interesante. Nëse në tre turne e mëparshme kanë fituar çifti i Besit dhe Markos, këtë herë besoj që do të ketë konkurrencë të madhe. Ka lojtarë shumë të fortë dhe duhet të presim sepse gara është interesante”.
Por Albania Padel Group ka dhe plane për të ardhmen, sepse nuk duhet vetëm aspekti sportiv, atje ku tanimë kanë nisur dhe stërvitjet e fëmijëve.
“Planet për të ardhmen janë të shumta. Do të mundohemi të bëjmë dhe disa aktivitete të aspekti kulturor, muzikor apo dansi. Këto përgjatë këtij muaji, ndërsa janë të gjitha në rrugën e zhvillimit dhe në përgjithësi jemi gati për gjithçka”.
Albania Open Challenge përfundon të mërkurën, sigurisht me shumë premio për fituesit e tre vendeve të para.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




