Seanca e konstituimit të Kuvendit, Albulena Haxhiu zgjidhet Kryetare e Parlamentit të Kosovës

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 62 vota pro, 16 kundër dhe 13 abstenim. Me këtë votim, Haxhiu do të drejtojë legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Seanca konstituive e Kuvendit rifilloi pas më shumë se një muaji bllokadë institucionale, ndërsa në fokus ishte zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Para nisjes së seancës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se subjektet politike kishin arritur një marrëveshje politike për tejkalimin e ngërçit institucional. Megjithatë, ai theksoi se marrëveshja duhet të përkthehet në vota konkrete në Kuvend. “Marrëveshje politike kemi, këtë e kemi kërkuar, por natyrisht që marrëveshja politike duhet që na i sigurojë edhe numrat, në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë paralajmëroi se vetëm konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk janë të mjaftueshme për shmangien e një tjetër krize politike. Sipas tij, një hallkë vendimtare mbetet edhe zgjedhja e presidentit të vendit. “Konstituimi i Kuvendit edhe formimi i Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja, nëse nuk e zgjedhim edhe Presidentin”, tha Kurti.
Ai theksoi se për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në sallë, duke e cilësuar sigurimin e kësaj pranie si një prej sfidave kryesore që do të përballet marrëveshja politike. Në lidhje me kandidaturën e përbashkët për president, profesorin Bekim Sejdiu, Kurti tha se duhet të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve që janë pjesë e marrëveshjes ose të gjenden vota shtesë. “E kemi të domosdoshme që t’i kemi aty të gjithë deputetët e marrëveshjes, për kandidatin tonë të përbashkët, profesor Bekim Sejdiun, ose të kemi edhe deputetë shtesë”, deklaroi ai.
Pavarësisht pasigurisë së mëparshme për numrat, Kurti kishte konfirmuar se Vetëvendosje do t’i përgjigjej pozitivisht thirrjes për vazhdimin e seancës konstituive. “Meqenëse kemi marrëveshje politike dhe kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar Avni Dehari, e ka thirrur seancën konstituive, ne i përgjigjemi pozitivisht asaj”, tha Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




