AMA, rol monitorues dhe rregullues gjatë procesit zgjedhor në Shqipëri

Aktualitet | 2 vite më parë

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka pritur në një takim delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave (NAM), të dërguar në Shqipëri nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Ulvi Akhundlu, zëvendëskryetar i Departamentit Zgjedhor të ODIHR-it, Kakha Inaishvili, Këshilltar Zgjedhor i ODIHR dhe Sherif Abdili, përfaqësues i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Krasniqi i është përgjigjur interesit të këtij delegacioni, me fokus mbi organizimin e punës së AMA-s, rolin rregullues dhe realitetin mediatik audioviziv, dhe jo vetëm, në Shqipëri.

“Temë e diskutimit ishte roli monitorues gjatë procesit zgjedhor, një detyrë që Autoriteti e kryen nga viti 2021. Në raportimet tona për KQZ gjatë zgjedhjeve, jepen të dhëna të identifikuara në: Edicionet informative; Emisionet debatuese/Forume; Reklamat politike; Mbulimet live të aktivitetit elektoral; Titrimet për TV informative; Aktivitetet e ndaluara të institucioneve publike dhe reklamat institucionale. Me delegacionin e NAM diskutuam edhe sfidën e ardhshme të AMA-s, atë të ngritjes së studios së re të monitorimit”, tha Krasniqi.

Sipas metodologjisë standarde të ODIHR, qëllimi i ekipit të NAM është vlerësimi i mjedisit parazgjedhor dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Bazuar në këtë vlerësim, NAM do të rekomandojë dërgimin e një misioni të ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vendin tonë, që i përshtatet nevojave të identifikuara.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme