Ambasadorja Kim takon Ramën: Kritike që institucionet e drejtësisë të jenë të pavarura dhe të guximshme në ushtrimin e detyrave

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama pasditen e kësaj të hënë. Lajmin e bën me dije ambasada e SHBA nëpërmjet një njoftimi në Facebook, ku theksohet se në takim u diskutua në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për mënyrat e forcimit të bashkëpunimit.
Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA, Kim dhe Rama u dakordësuan mbi rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë të Shqipërisë.
“Ata ishin në një mendje se është kritike që institucionet e drejtësisë të Shqipërisë të jenë të pavarura dhe të guximshme në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me marrdhëniet mes dy vendeve, partneriteti u vlerësua “më i fortë se kurrë”, ndërsa ambasadorja Kim vlerësoi rolin e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit në OKB e po ashtu edhe në integrimin dhe stabilitetin rajonal, duke vënë theksin te thirrjet për vetëpërmbajtje në lidhje me situatën e tensionuar në Veri të Kosovës.
“Ambasadorja Kim u takua me Kryeministrin Rama më 12 dhjetor për të rishikuar arritjet në marrëdhënien SHBA-Shqipëri gjatë vitit 2022 dhe për të diskutuar mënyrat për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit gjatë vitit 2023. Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për udhëheqësinë dhe kontributet e rëndësishme të Shqipërisë gjatë vitit të parë të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Roli i Shqipërisë në KSKB ka qenë me rëndësi kritike për çështje të rëndësishme globale, përfshi mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit nga Rusia. Ambasadorja Kim njohu kontributet e Shqipërisë në integrimin dhe stabilitetin rajonal, përfshi gjatë thirrjeve të Shqipërisë për vetëpërmbajtje në veriun e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë dënuar të gjitha sulmet ndaj agjencive kosovare dhe ndërkombëtare të sigurisë si dhe kërcënimet për dhunë dhe kanosje, si dhe shprehën mbështetje të plotë për KFOR-in dhe EULEX-in. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë nxitur palët që të punojnë brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që përbëjnë shqetësim”, njofton ambasada e SHBA.
Po ashtu, ambasadorja Kim shprehu edhe njëherë mbështetje e SHBA për Shqipërinë, përballë sulmeve kibernetike të Iranit, ndërsa nuk la pa përmendur as organizimin e Samtit BE-Ballkani perëndimor në Tiranë, duke e konsideruar historike.
“Ata diskutuan mënyrat për të ndërtuar më tej mbi arritjet historike në marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri, përfshi aftësitë dhe kontributet ushtarake në rritje të Shqipërisë si aleate në NATO. Ambasadorja riafirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë përballë sulmeve kibernetike të Iranit. Ambasadorja Kim i përcolli përgëzime të ngrohta Kryeministrit për mikpritjen e suksesshme të Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke vërejtur se është hera e parë që një samit i tillë është zhvilluar jashtë Brukselit. Ajo ritheksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendosmërisht integrimin e plotë të Shqipërisë si anëtare e BE-së. Në këtë kontekst, ata diskutuan arritjet, si dhe sfidat, në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ambasadorja Kim dhe Kryeministri Rama pohuan se, teksa mbyllim vitin që shënon 100 vjet nga vendosja fillestare e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, partneriteti ynë është më i fortë se kurrë”, përfundon njoftimi i ambasadës Amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




