Analisti Agim Baçi tregon zgjidhjen që Berisha të mos përfundojë si vartës i Metës në zgjedhjet e 14 majit

Politikë | 4 vite më parë

Analisti Agim Baçi, kandidat për deputet i PD-së në zgjedhjet e 2021 e sheh me keqardhje situatën politike brenda Partisë Demokratike.

Sali Berisha,  ish themeluesi i PD-së hyn në zgjedhjet vendore të 14 majit si pjesë e koalicionit që kryeson Meta, dikur kundërshtari i tij politik, ndërkohë që rrezikohet të ketë një përballje të kandidatëve të PD-së së Alibeajt me kandidatët e dalë nga primaret.

Në studion e rtsh24 me gazetaren Matilda Mcini, Baçi tregon dhe zgjidhjen që ka mbetur, cinike, por e domosdoshme për të bashkuar demokratët  

“Mendoj se ka mbetur një zgjidhje cinike mes palëve, që të mos përfundojë zoti Berisha si vartës i zotit Meta në këtë koalicion. Të pranohet një marrëveshje që PD zyrtare të mbështesë kandidatët e dalë nga primaret dhe Berisha e të tijtë të mbështesin listat e kandidatëve të këshillave bashkiakë të dalë nga PD zyrtare. Vetëm kjo mund të jetë zgjidhja e pranueshme mes palëve“ thotë Agim Baçi.

 “Është cinizëm shumë i madh që zoti Berisha si themelues i PD-së, ish  kryeministër dhe president i dalë nga kjo forcë politike, për shkak të mosmarrëveshjeve me një pjesë tjetër të PD-së të çojë mbështetësit e tjerë tek Partia e Lirisë dhe të mos i çojë tek logoja e PD-së.

Kritik është dhe me qëndrimin e Berishës, i cili për hir të egos dhe inatit nuk pranon të ulet me Alibeajn por ulet me kundërshtarët e tij politikë.

”Sali Berisha është ulur në tryezë me Fatos Nanon, Pandeli Majkon dhe Ilir Metën, imagjino kur Ilir Meta i kishte vënë prangat pas protestës së Tropojës (shënim: nëntor 2000)

Është ulur përballë me Edi Ramën dhe ka bërë marrëveshjen e 2008 dhe është absurde të mendosh se nuk mund të ulet në tryezë me Alibeajt, të cilin e ka mbështetur, promovuar dhe sjellë ai në PD. Është absurde. Ç’është kjo ego kaq e madhe, ky inat kaq i madh sa nuk pranon të uleësh  me ata që i ke shumë afër dhe ulesh  me kundërshtarët e tu politikë

Është e pafalshme që palët në PD, si Berisha që mori përsipër të bashkojë palët, ra në kurthin e zotit Rama…. Ajo që bëri Gjykata e Apelit është e pafalshme, mori pjesë automatikisht në politikë, ndërsa duhej ta kishte zgjidhur që vitin e shkuar, për shkak se vendimi për një parti politike nuk ka të bëjë me Sali Berishën, Bashën apo Alibeajn, por me fatin e demokracisë. Kjo tallje e madhe për një vit e gjykatës së Apelit, bëri të kemi këtë banalizim sot në PD. Kemi këtë shaka të madhe që Berisha nuk ulet me Alibeajn por ulet me çdo kundërshtar të mundshëm,” argumenton Agim Baçi për rtsh24.

 Ish kandidati për deputet i PD-së në zgjedhjet e 2021 thotë se për të rrëzuar Ramën nga pushteti duhet maksimalizuar vota duke u bashkuar vota dhe jo duke u ndarë.

“Janë arrestuar shumë bashkëpunëtorë të Ramës, është në burg Koka, Bllako, një kryetar bashkie i arrestuar një tjetër i arrestuar dy të tjerë të paraqitur në SPAK. Rama ka banalizuar gjithë politikën shqiptare duke larguar çdo njeri me mend nga fushë beteja. Por në pikën që është opozita sot jo vetëm që nuk është më e fortë, por Berisha që erdhi me sloganin “unë do i bëj bashkë” nuk arriti të bëjë bashkë as partnerët e tij tradicionale, Mediun, Shehin.

Nuk maksimalizohet vota duke u ndarë por duke u bashkuar. Fatkeqësisht Berisha erdhi me këtë slogan por nuk arriti dot, dhe nuk bëri dot PD brenda vetes së tij. Sot kemi Dukën, më vete, Mediun, Shehin e Patozin më vete, Idrizin gjithnjë e më larg opozitës, fatkeqësisht Berisha tek Partia e Lirisë dhe Alibeaj e pjesa tjetër e PD-së më vete që rrezikon dhe me shumë gjasa do të dalë me kandidat nëse nuk arrihet kompromis deri në sekondën e fundit që të mos kenë përballë kandidatët e primares.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme