Analisti Muça në “3D“: Berisha e “mundi” politikisht Salianjin, ja pse nuk u prit në seli pas burgut

Politikë | 6 muaj më parë

Diskutimet mbi mungesën e rivalitetit brenda Partisë Demokratike kanë qenë pjesë e komenteve dhe të analistit Flogert Muça në emisionin “3D” të Alban Dudushit. Muça hodhi dritë mbi marrëdhënien e tensionuar mes Sali Berishës dhe Ervin Salianjit, duke e cilësuar skualifikimin e këtij të fundit si një “luftë të pastër politike” të fituar nga lideri historik i PD-së.

Nga “hero” në “dekriminalizim”

Sipas Muçës, ekziston një kontrast i madh mes mënyrës se si u trajtua Salianji gjatë kohës që ishte në burg dhe pritjes që iu bë pas lirimit. Analisti argumentoi se PD-ja e shfrytëzoi figurën e tij vetëm për përfitime momentale politike.

“Kur ishte në burg të gjithë e shfrytëzuan për kapital politik. E trajtuan si i burgosur politik, tani i thonë të kap dekriminalizimi. Marrëveshja e heshtur me PD mesa duket ka qenë se ju do më përdorni për kapital politik dhe më pas do më kooptoni në kryesi,” u shpreh Muça.

Analisti ngriti hipotezën se Berisha ka marrë informacione mbi planet e Salianjit për të rritur ndikimin e tij brenda partisë, duke përdorur statusin e “të burgosurit politik”. Kjo duket se ka sjellë edhe ftohjen e menjëhershme të marrëdhënieve.

Muça deklaroi se Berisha duket pati sinjale që Salianji, gjatë kohës së burgimit, po përpiqej të ndërtonte një lëvizje brenda PD-së.

“Nuk e priti fare në seli, por e la me një deputete duke i dhënë mesazhin se nuk pritesh zyrtarisht por të pret një bashkëstudente,” shpjegoi analisti.

Për Flogert Muçën, e gjithë dinamika e fundit tregon se Sali Berisha ka arritur të neutralizojë çdo tentativë për krijimin e poleve të reja të fuqisë brenda partisë.

“Politikisht është një luftë e pastër të cilën e fitoi doktori,” përfundoi Muça.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme