Anketa në Gjermani: Frikë për ekonominë dhe besim i ulët te Kancelari Merz

Një anketë e fundit e realizuar nga media publike gjermane ARD për emisionin “Deutschlandtrend” ka zbuluar një nivel të lartë shqetësimi tek qytetarët gjermanë lidhur me ekonominë e vendit. Shqetësimi kryesor lidhet me politikat doganore të Presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas rezultateve të anketës, 65% e gjermanëve shprehen të shqetësuar ose shumë të shqetësuar për stabilitetin ekonomik si pasojë e tarifave doganore të vendosura nga SHBA-ja. Kjo vjen pas një marrëveshjeje të diskutueshme mes SHBA-së dhe BE-së, ku mallrat e eksportuara nga BE-ja drejt Shteteve të Bashkuara do të tarifohen me 15%, ndërsa ato amerikane drejt BE-së do të jenë të përjashtuara.
Një tjetër gjetje e anketës ka të bëjë me besimin e publikut te Kancelari i ri, Friedrich Merz. Pavarësisht se ai arriti të siguronte një ndryshim në politikën e frenimit të borxhit për të financuar investime të mëdha në infrastrukturë dhe mbrojtje, besimi tek ai duket se ka rënë.
Vetëm 26% e të anketuarve mendojnë se Merz është një person i besueshëm, një rënie prej 3% krahasuar me anketën e muajit shkurt. Kjo shifër sugjeron se ndryshimet në politikat ekonomike, duke devijuar nga premtimet e fushatës për mosmarrje kredish të reja, mund të kenë ndikuar negativisht në imazhin e tij publik.
Anketa u zhvillua nga instituti infratest-dimap me 1,321 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë përfaqësuese, gjatë periudhës 4-6 gusht të këtij viti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




