Anton Qafarena, tek Verona Volej

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Anton Qafarena, kapiteni i Shqipërisë në volejboll për meshkuj, ka bërë zgjedhjen më të mirë të karrierës së tij lojtar. Një zgjedhje që tashmë shënon kulmin më të lartë për të, sepse do të jetë pjesë e një kampionati elitar dhe të një niveli të madh ndërkombëtar si Seria A1 e Italisë. Pikërisht 24-vjeçari, 2.04 centimetra i lartë dhe plot grintë për karrierën e tij, është zyrtarisht pjesë e Veronës për sezonin 2021-2022.

Anton Qafarena vjen tek skuadra italiane nga një sezon shumë i mirë me ukrainasit e Barkom Kazhan, atje ku ishte fitues i Superkupës së Ukrainës, Kupës së Ukrainës dhe titullit kampion. Madje duke u shpallur dhe lojtari më i mirë i aktivitetit. Më parë ka luajtur tek gjermanët e TV Buhl, ndërsa ka qenë pjesë integrale e Vllaznisë me të cilën ka dalë kampion në sezonin 2016-2017. Pas Gazmend Husajt, Anton Qafarena është shqiptari i dytë që luan në kampionatin italian të volejbollit për meshkuj.

 “Jam shumë i kënaqur që jam bërë pjesë e familjes Verona Volej për sezonin e ri. Është një sfidë për mua për të dhënë maksimumin dhe për të bërë më të mirën për skuadrën, kuptohet në realizimin e objektivave tonë. Jam gati që tani të nis sezonin dhe dua menjëherë të takoj shokët e rinj të skuadrës sime dhe tifozët e Veronës. Shihemi së shpejti”, ka thënë Qafarena.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme