Arbëreshi i vetëm në konkursin “Pjetër Gaci”, 10-vjeçari Giuseppe Pellicano synon të bëhet pianist i famshëm
Giuseppe Pellicano lindi në Itali, por tashmë prej vitesh ai dhe familja e tij janë zhvendosur në Tiranë, duke qenë kështu ndër të paktat familje arbëreshe që zgjedhin të rikthehen përgjithmonë.
10-vjeçari i talentuar mori pjesë në konkursin internacional “Pjetër Gaci”.
“Një vit bëra solfezh dhe pastaj vitet e tjera u mora me piano. Sot ishte shumë bukur. Pata shumë emocione… me pjesën ‘Për Elizën’ nga Bethoveni dhe tri pjesë të tjera klasike,” shprehet pianisti i talentuar.
Giuseppe ndihet krenar që është arbëresh.
“Kultura arbërore është shumë e bukur dhe jam i lumtur të marr pjesë në të,” thotë pianisti 10-vjeçar.
I frymëzuar nga muzikanti Pjetër Gaci, ai synon të shkelë në skena të mëdha.
“Profesione të tjera do të doja astronautin, më pëlqen shumë, por pianon s’do ta lë kurrë. Gjithmonë do jap zemrën për t’u bërë një pianist shumë i madh. Një pianist shqiptar është Pjetër Gaci, që quhet edhe konkursi ku po marr pjesë. Ai është pianisti që më frymëzon më shumë,” tregon Giuseppe.
Ai ishte i shoqëruar nga familja e tij teksa performoi në piano përpara jurisë dhe artdashësve të konkursit ndërkombëtar.
Gazetar: Merisa Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




