Argjentina i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare Penale urdhërarrest për Maduron

Argjentina i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) të nxjerrë urdhërarreste për presidentin venezuelas, Nikola Maduro (o. Nicolas) dhe zyrtarët e lartë të qeverisë së tij.
Kërkesa u firmos të premten nga Ministria e Jashtme e Argjentinës duke cituar situatën e përkeqësuar në Venezuelë pas zgjedhjeve të 28 korrikut. Sipas njoftimit të Ministrisë, letra do i dërgohet Zyrës së Prokurorit të GJNP-së ditën e hënë, në mënyrë që të merret me urdhërarrestet.
GJNP-ja po kryen hetime mbi Venezuelën për krime kundër njerëzimit që nga viti 2018 për raste të vrasjeve, torturave, përdhunimeve, persekutimit politik dhe zhdukjeve. Në muajin mars, Dhoma e Apelimit refuzoi kërkesën e Venezuelës për të ndalur hetimet.
Në zgjedhjet e 28 korrikut, presidenti Maduro shpalli fitoren, ndërsa Argjentina ishte shteti i parë që njohu si fitues kandidatin opozitar Edmundo Gonzalez Urrutia. Venezuela e ka përjashtuar misionin diplomatik argjentinas nga vendi pas zgjedhjeve dhe ka tërhequr stafin e vet nga Buenos-Ajresi.
Liderët e Brazilit dhe Kolumbisë po ashtu nuk e kanë njohur fitoren e Maduros. /BAH
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




