Arion Sulo: Sulmi ndaj vilës së ish-diktatorit, simbolik. Opozita duhet të jetë më e zemëruar
Analisti Arion Sulo ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se protesta e Partisë Demokratike ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha ishte më shumë simbolike se sa një akt dhune.
Sipas tij, deri më tani protestuesit kanë hedhur molotov ndaj godinave dhe nuk kanë lënduar oficerë të policisë.
“Deri tani jemi në simbolikën e protestës, nuk jemi në dhunë. Deri tani kemi molotov ndaj godinave të institucioneve. Nuk ka ndodhur që një protestues t’i sulmojë policët qëllimisht, i përgatitur.
Nuk ka pasur. Ajo është shprehje zemërimi, simbolike. Dhuna është kur ti kërkon të ndeshesh me policët, shkakton lëndime, merr institucionet me forcë e të gjitha”, u shpreh Sulo.
Ai vuri në dukje më tej se opozita është e dobët në aksionin e saj politik dhe të protestës.
Për këtë arsye, ai theksoi se opozita duhet të ketë reagim edhe më ashpër nga sa ka ndodhur deri më tani.
“Fatkeqësisht opozita është shfaqur e dobët, duhet të ishte më e zemëruar sepse terreni është më i helmuar. Jemi në zgrip si shtet dhe si shoqëri. Ne po hyjmë fatkeqësisht te shtetet e falimentuara. Në mungesë të masivitetit, zemërimit të madh, frymës dhe arrijmë te simbolika.
Kjo e Enver Hoxhës, kjo është hiçasgjë. E tha Lubonja sot; ajo është zhvendosja e zemërimit. Ti zemërimin nuk e ke me Enver Hoxhën me vilën e tij, duke pasur zemërimin e madh me kryeministrin ata përqasin Shqipërinë dikur. Kurse se si duhet të vazhdojë, shpresoj që të kemi reagim”, theksoi Sulo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




