Arrestohet Riccardo Bossi, djali i themeluesit të Lega-s do të vuajë 5 vjet e 9 muaj burg

Riccardo Bossi, djalë i madh i themeluesit të partisë Lega, Umberto Bossi, është arrestuar nga karabinierët në shtëpinë e tij dhe është dërguar në burgun e Busto Arsizio-s.Ekzekutimi i urdhrit erdhi pas një vendimi për bashkimin e dënimeve prej 5 vitesh e 9 muajsh burgim, të firmosur nga prokurori Carlo Nocerino.
Akuzat dhe shkeljet financiare
Dënimet me burg lidhen me ngjarje të ndodhura përgjatë periudhës 2011–2020 dhe përfshijnë veprat penale të përvetësimit të paligjshëm, mashtrimit, si dhe marrjes pa të drejtë të ndihmës ekonomike shtetërore. Sipas hetimeve të prokurorisë Bossi kishte përfituar 280 euro në muaj për 43 muaj rresht, me një vlerë totale prej 12.800 eurosh. Kjo ndihmë financiare i ishte miratuar për mbulimin e qirasë së një banese. Megjithatë, verifikimet zbuluan se ai ishte nxjerrë me forcë nga ajo banesë (dëbuar nga pronari) për shkak të mospagesave të prapambetura.
Nga përllogaritja e këtij dënimi akumulativ është përjashtuar një vendim tjetër gjyqësor, ai me 1 vit e 4 muaj burgim për keqtrajtim ndaj nënës së tij, i cili daton në vitin 2016.
Ndonëse nëna e tij e pati tërhequr padinë fillestare për kërcënime dhe lëndime (duke deklaruar në gjykatë se marrëdhëniet familjare ishin përmirësuar), akuza për keqtrajtim vazhdoi të ndiqej kryesisht nga drejtësia. Dokumenet e prokurorisë përshkruanin kërkesa të vazhdueshme për para të shoqëruara me shpërthime dhune, të cilat në një rast kishin degjeneruar në goditje fizike në shtëpinë e saj në Azzate.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



