Asambleja e Përgjithshme e OKB, nis sot java e nivelit të lartë ku marrin pjesë 130 udhëheqës

Rreth 130 krerë shtetesh dhe qeverish ndodhen këtë javë në Nju Jork të SHBA-së për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një kohë që bota po përballet me luftëra, ndryshimet klimatike, presione ekonomike, pabarazi dhe zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale.
Luftërat në Iran, Gaza, Ukrainë, Sudan, Kongo dhe Mianmar pritet të jenë ato ku do të përqendrohet ky takim i nivelit të lartë, ndërkohë që pyetja që shtrohet është se a mund të bëjnë udhëheqësit ndonjë gjë për t’i ndalur ato? Dhe çfarë mund të bëjnë për ngrohjen globale që po kërcënon të ardhmen e planetit, pabarazitë në rritje brenda dhe mes kombeve, dhe goditjet me të cilat po përballet ekonomia botërore, ndërsa rrugët detare dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit po rrisin koston e jetesës dhe ngadalësojnë rritjen ekonomike?
Në axhendë pritet të jetë edhe e ardhmja e Kombeve të Bashkuara. Organizata është nën presion që të modernizohet, veçanërisht Këshilli i saj i Sigurimit, anëtarët e përhershëm të të cilit kanë fuqinë e vetos. Megjithëse anëtarët kanë rënë dakord për reforma, zbatimi mbetet i vështirë.
Megjithatë, OKB-ja vijon të jetë vendi ku mblidhen 193 kombe dhe udhëheqësit e tyre. Asambleja vijon të jetë vendi ku këto vende mund të diskutojnë problemet, të negociojnë dhe të bashkëpunojnë.Në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti pritet të flasin Presidenti amerikan Donald Trump, i cili sërish do të kritikojë OKB-në, veçanërisht për pretendimet se SHBA-ja mund të ketë kryer krime lufte në Iran; ai francez, Emmanuel Macron; presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky; ai i Izraelit, Benjamin Netanyahu; por edhe presidenti iranian, Masoud Pezeshkian.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas nuk do të jetë në Asamble, pasi për të dytin vit radhazi SHBA-ja i refuzoi vizën. Në OKB nuk do të jetë as presidenti kinez Xi Jinping, i cili do të takohet të mërkurën në Uashington me Trump. Udhëheqës të tjerë që nuk marrin pjesë janë edhe ai rus Vladimir Putin, si dhe kryeministri indian Narendra Modi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



