“Askush nuk do t’i heqë logon Selenicës” – Rama garanton ruajtjen e identitetit dhe shtimin e funksioneve pas bashkimit me Vlorën

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të shtunë, më 12 shtator, në Pallatin e Kulturës në Vlorë, ku zhvilloi një takim të zgjeruar me strukturat e Partisë Socialiste dhe qytetarët e zonës, me fokus Reformën Territoriale dhe konkretisht shkrirjen e bashkisë Selenicë për bashkimin e saj me Vlorën.
Rama e paraqiti këtë proces si një domosdoshmëri për fuqizimin ekonomik e social të komuniteteve, për racionalizimin e burimeve njerëzore në nivel vendor dhe për përgatitjen e vendit në përthithjen e fondeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal posaçërisht tek Selenica, duke garantuar se qyteti nuk do të humbasë identitetin dhe shërbimet ekzistuese:
“Askush nuk do të marrë me vete godinën, askush nuk do të marrë me vete shërbimet, askush nuk do t’i heqë logon qytetit Selenicë. Të gjitha që bëhen sot, do të bëhen. Çështja është çfarë bëhet ekstra.”
Ai shtoi se bashkitë e vogla nuk arrijnë të kryejnë funksionet e tyre për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, ndërsa bashkimi sipas tij është i mbështetur nga “teoria botërore, historia shqiptare dhe numrat”, duke nënvizuar se ky cikël duhet të mbyllet deri në vitin 2031.
“Shërbimet që sot i kryejnë bashkitë e vogla, qytetet do t’i kryejnë përsëri. Askush nuk do të marrë me vete godinën, askush nuk do të marrë me vete shërbimet, askush nuk do t’i heqë logon qytetit Selenicë. Të gjitha që bëhen sot, do të bëhen. Çështja është çfarë bëhet ekstra. Sot bashkitë e vogla nuk kryejnë një pjesë të madhe të funksioneve të tyre sepse nuk gjenden mjaftueshëm burime njerëzore. Bashkimi do të bëhet sepse e thotë teoria botërore, e thotë historia shqiptare, e thonë numrat. Dhe këtë cikël ne duhet ta mbyllim në vitin 2031.”
Në takim, përveç Ramës, të pranishëm ishin edhe Ministri i Brendshëm Ervin Demo, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale Arbjan Mazniku dhe drejtuesi politik i Qarkut Vlorë Blendi Çuçi, duke i dhënë peshë institucionale dhe politike diskutimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




