Atentati ndaj Trump, reagojnë krerët e shtetit dhe politika shqiptare

Krerët e shtetit dhe politika shqiptare kanë reaguar lidhur me atentatin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Presidenti Bajram Begaj, teksa i uron shërim të shpejtë Trump, Begaj shkruan se format e dhunës politike nuk kanë vend në demokraci.
“I pikëlluar kur mësova për atentatin ndaj Presidentit Donald Trump. I uroj Presidentit Trump një shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e një jete të pafajshme. Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm dhe të gjitha format e dhunës politike, të cilat nuk kanë vend në demokraci”, shkruan Begaj.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi ngjarjen “tragjedi për botën demokratike”. Në X, Rama shkruan se shpreson që kjo ngjarje “të bashkojë Amerikën dhe njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”
“Është shqetësuese të dëshmosh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, shkruan kreu i qeverisë.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, thotë se dhuna dhe demokracia janë të papajtueshme
“Tentativa për vrasjen e ish Presidentit dhe kandidatit Donald Trump, e papranueshme! Dhuna dhe demokracia janë të papajtueshme në shoqëritë tona, në qytetërimin e sotëm!”, shkruan Nikolla.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e konsideron atentatin si “akt të shëmtuar kriminal”.
“Atentat kundër Presidentit Donald Trump. Të dashur miq, një dorë kriminale shkrepi mbrëmë një seri të shtënash në një atentat me qëllim vrasjen e Presidentit Donald Trump. Ky akt i shëmtuar kriminal, ndodhi gjatë fjalës të Presidentit Trump në një takim elektoral ne Butler Pensilvania. Nga të shtënat Presidenti Trump u plagos, por është jashtë rreziku për jetën dhe një pjesëmarrës në miting u vra dhe dy të tjerë janë të plagosur rëndë.
Atentator i identifikuar si Thomas Mattheu Crooks, 20 vjeç u asgjësua nga shërbimi sekret. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj Presidentit Donald Trump si një akt me të cilin kërkohet që me atentat, vrasje politike në fushatë elektorale të përcaktojnë e të mposhtin vullnetin e lirë të qytetarëve të SHBA. Me këtë rast i shpreh Presidentit Trump dhe familjes së tij dhe Partisë Republikane, solidaritetin tim më të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe lutem për shërim të shpejtë dhe të plotë të tij. Uroj që kushdo që mund të jetë i implikuar në akt të urryer terrorist të gjendet dhe marrë ndëshkimin më të rreptë ligjor”, shkruan Berisha.
Trump i shpëtoi atentatit me një lëndim në vesh nga plumbi që e preku, ndërsa nga sulmi humbi jetën një person i pranishëm në tubim dhe mbetën të plagosur rëndë dy të tjerë. Autori i sulmit u identifikua nga FBI si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, i cili u qëllua nga autoritete. Arsyet e sulmit nuk dihen ende, ndërsa Trump ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




