Atentati në Lezhë për hakmarrje. Identifikohen 3 autorët, njëri prej tyre vëzhgoi çiftin, dy të tjerët e ekzekutuan nga një makinë pa targa
Policia e Lezhës ka zbardhur atentatin e ndodhur një ditë më parë në fshatin Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, bëri të ditur se janë identifikuar tre persona të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Sipas policisë, në krim janë përfshirë shtetasit me iniciale A.M., 22 vjeç, F.M., 36 vjeç dhe R.M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë. Nga hetimet paraprake rezulton se njëri prej tyre ka ndjekur dhe vëzhguar lëvizjet e viktimave, ndërsa dy të tjerët kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e atentatit.
Autorët dyshohet se kanë përdorur dy automjete: një “Audi A4”, i cili ka shërbyer për ndjekjen e çiftit, dhe një tjetër mjet tip “Volkswagen” pa targa, nga i cili është qëlluar me armë automatike në drejtim të viktimave. Sipas policisë motivi i kësaj vrasjeje të dyfishtë lidhet me hakmarrjen.
“Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci. Me administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”. Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve: -A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.
Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volksëagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij. Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje”, tha drejtori i policisë Lezhë.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur çifti Mujeci po udhëtonte drejt zonës së Torovicës. Në Balldren, një automjet u ka prerë rrugën, duke i detyruar të ndalonin. Menjëherë pas kësaj, nga një mjet tjetër kanë zbritur dy persona të armatosur me kallashnikovë, të cilët kanë hapur zjarr me breshëri plumbash, duke i lënë të vdekur në vend.
Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa, por autorët nuk janë lokalizuar ende dhe vijojnë të jenë në kërkim. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për gjetjen e automjeteve dhe armëve të përdorura në krim, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




