Autizmi, shkak për shumë divorce në familje – Nënat rrëfejnë si përballen të vetme me dramën

Sociale | 2 vite më parë

Autizmi nuk është thjesht një diagnozë, por edhe një plagë e madhe sociale.

Në ato familje ku ky çrregullim ka hyrë, ka shkaktuar drama dhe vuajtje. 80 për qind e familjeve janë shpërbërë.

Fatime Çela rrëfen për RTSH se ka 20 vite që mban mbi supe autizmin e së bijës, pasi bashkëshorti e braktisi sapo mësoi diagnozën.

“Kam mbi 20 vite që përballoj e vetme autizmin e bijës sime. Kam pasur mbështetje vetëm nga familja ime. Babai i Uendit u largua nga ne duke më lënë të vetme pasi nuk e pranonte dot. Nuk e ka parë asnjëherë gjatë kësaj kohë vajzën. Nuk është interesuar asnjëherë dhe nuk pagoi asnjëherë, qoftë edhe një qindarkë për të. Vajza ime nuk ia di as emrin të atit,” shprehet znj. Çela.

E sfilitur nga lodhja, ajo thotë se të vetmit që iu gjendën ishte familja e saj.

“Duhet të futesh në lëkurën tonë që të njohësh hallin tonë. Ndihemi të diskriminuar dhe të përjashtuar. Edhe pagesa që marrin për këtë diagnozë është e pamjaftueshme për të përballuar nevojat. Nëse nuk do kisha familjen që më është gjendur do të kisha mbetur si peshku pa ujë,” thotë znj. Çela.

Gentian Masha, babai i Muenisit 21-vjeçar në spektër, thotë se këta fëmijë shihen si mallkim dhe baballarët largohen duke ia lënë barrën e rëndë gruas.

“80% fëmijëve që vijnë në qendrën tonë ‘Lumturo Dhimbjen’ i kanë prindërit të divorcuar. Shkaqet e divorceve të shumta që po ndodhin janë disa, duke filluar që nga ato monetare e deri tek paragjykimet e forta të shoqërisë dhe më pas lodhja e sfilitja. Baballarët në shumicën e rasteve i jepen veseve si alkooli, bixhozi apo edhe imoraliteti, duke u larguar kështu nga halli në familje e duke i lënë nënat e fëmijëve krejt të vetme në këtë luftë me autizmin,” tregon z. Masha.

Sipas tij, familjet në fshatra janë mospranuese ndaj kësaj “sëmundjeje” dhe gruaja bëhet me gisht nga i gjithë fisi si shkaktare e këtij halli. Në qytete pranohet, por këtu ndodh edhe më shumë divorci, ndërsa në kategorinë e tretë janë familjet besimtare, ku pothuajse nuk ka divorce.

Uendi sot përpëlitet vetëm pas nënës së saj, të cilën sa e lodh, aq edhe i fal dashuri.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme