Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike analizon sulmin wiper ndaj Bashkisë së Tiranës

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka bërë të ditur se ka analizuar një skedar keqdashës të llojit wiper (fshirës), i identifikuar si “Display_10.exe”, pas sulmit kibernetik që goditi Bashkinë e Tiranës.
Sipas AKSK-së, ky virus përdor teknika të avancuara për të fshirë të dhëna dhe për të dëmtuar sistemin operativ Windows. Si përgjigje ndaj këtij incidenti, AKSK ka publikuar një dokument që përfshin indikatorët e komprometimit, veprimet shkatërruese të skedarit dhe rekomandime konkrete për rritjen e sigurisë.
Reagimi i menjëhershëm dhe masat e marra
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për sulmin, AKSK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndërmori të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve. Kjo përfshiu ngritjen e një grupi të posaçëm pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike.
Ky grup filloi menjëherë punën në terren, duke bashkëpunuar ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë.
Objektivat kryesore të tyre ishin:
- Kryerja e analizës fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimi i pikave të hyrjes së sulmit.
- Izolimi dhe kufizimi i përhapjes së ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura.
- Ndërmarrja e masave të para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura.
- Hartimi i rekomandimeve të para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse.
Angazhimi i AKSK-së
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike deklaron se dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe thekson angazhimin e tij në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




