Baçi: Opozita nuk duhet të përplaset me ambasadorët, por të ulet me mazhorancën

Aktualitet | 6 muaj më parë

Analisti Agim Baçi deklaroi në emisionin “3D nga Alban Dudushi” në RTSH se opozita shqiptare nuk duhet të hyjë në përplasje me ambasadorët dhe ndërkombëtarët, por të bashkëpunojë me ta për të krijuar mundësi dialogu me mazhorancën.

Sipas Baçit, Sali Berisha ka pasur marrëdhënie të tensionuara me ambasadorët amerikanë në Shqipëri, ndërsa opozita nuk e ka “luksin” e një përplasjeje të tillë. Ai theksoi se opozita duhet të fokusohet te negociatat me mazhorancën për çështje si ndryshimi i ligjit zgjedhor dhe reforma territoriale.

Baçi shtoi se përmes bashkëpunimit me faktorët ndërkombëtarë mund të arrihen ndryshime që favorizojnë edhe partitë e vogla, duke përmendur si shembull mundësinë e zgjedhjeve lokale me dy raunde. Sipas tij, refuzimi që ndërkombëtarët i bëjnë Berishës e shtyn këtë të fundit drejt një modeli më konfrontues politik.

“Berisha ka pasur marrëdhënie të forta, të ashpra me ambasador amerikan këtu. Opozita nuk ka luksin ta ketë këtë përplasje, opozita ka luksin që me ndërkombëtarët të bashkëpunoj duke ditur që është një faktor shumë i rëndësishëm, për tu ulur me mazhorancën. Opozita e ka të domosdoshme të ulet me mazhorancën dhe të diktojë disa rrethana siç janë ndryshimi i ligjit zgjedhor, reformën territoriale. Janë në tavolinë por me ndërkombëtarët mund të ndryshoj ligjin që të afrojë edhe partitë e vogla në favor të tyre, qoftë duke e bërë edhe me dy raunde zgjedhjet lokale. Berisha duhet të ketë këmbënguljet që të ulet me ndërkombëtarët por ky refuzim që kanë ato ndaj tij e bën atë që të zgjedhi këtë lloj modeli”, u shpreh Baçi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme