Balla Iftar në Librazhd: Bashkë me Myftiun e nderuar Ylli Gurra në shtëpinë tonë, një traditë që këtë vit mbushi 20 vite

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS ,Taulant Balla së bashku me Myftiun Ylli Gurra morën pjesë iftarin e organizuar në Dragostunjë të Librazhdit. Iftari bëri bashkë dhjetëra besimtarë agjërues në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, duke rikthyer në vëmendje jo vetëm vlerat e besimit, por edhe origjinën e një tradite që sot është përhapur në mbarë Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Balla theksoi se pikërisht në Librazhd ka lindur ideja e organizimit të iftareve masive, si një mënyrë për të bashkuar njerëzit përtej dallimeve. Ai kujtoi se së bashku me Myftiun Ylli Gurrën hodhën themelet e kësaj nisme në vitin 2006 plot 20 vite më parë , duke bërë bashkë jo vetëm besimtarë myslimanë, por edhe klerikë të besimeve të tjera, në një frymë bashkëjetese dhe harmonie. Sipas Ballës, edhe tradita e shtrimit të iftareve nga figura politike e ka zanafillën po në këtë bashki , duke u kthyer sot në një praktikë të përhapur në të gjithë vendin.
Nga ana e tij, Imami Ylli Gurra shprehu mirënjohje për të gjithë të pranishmit, duke vlerësuar veçanërisht pjesëmarrjen e priftit Heliodor Demiri, si simbol i bashkëjetesës fetare. Ai theksoi se muaji i Ramazanit është një kohë reflektimi që i bën njerëzit më të mirë, më të dashur dhe më pranë njëri-tjetrit, duke forcuar lidhjet familjare dhe shoqërore.
Gurra nuk la pa përmendur edhe sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare, duke e cilësuar emigrimin si një plagë të rëndë, ndërsa nënvizoi se tryezat e iftarit janë vende ku jo vetëm ndahen ushqime, por edhe shpresa, këshilla dhe mbështetje për një të ardhme më të mirë.
Mbrëmja e Iftarit në Dragostunjë ashtu si çdo Iftar u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë, biseda miqësore mes të rinjve e të moshuarve ku mbizotëroi një frymë e fortë solidariteti, duke dëshmuar se tradita e nisur në Librazhd vijon të mbetet një model i bukur bashkimi dhe harmonie për gjithë Shqipërinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




