Balla sërish thirrje opozitës: Në shtator të punojmë së bashku për vijimin e Reformës Zgjedhore!

Kryetar i Grupit Parlamentar, Taulant Balla i bëri sërish thirrje opozitës që në shtator të punojnë së bashku për vijimin e Reformës Zgjedhore. “Është në dinjitetin politik të secilëve garues që jo vetëm të njohin rezultatin, por në shtator të punojmë së bashku për vijimin e Reformës Zgjedhore të lënë në mes. Koha kur në Shqipëri votat e shqiptarëve numëroheshin nga numërues politikë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.Është një hap që duhet ta hedhim. Besoj se edhe PD e LSI, ku unë besoj se do të ketë vetëm një grup parlamentar të opozitës në shtator, të fillojmë menjëherë punën për një komision të posaçëm për vijimin e Reformës Zgjedhore” .
Nga foltorja e Kuvendit Balla po ashtu tha se beteja e PS në mandatin e tretë është që të çlirojë zyrat e shtetit nga ata individë të korruptuar që marrin para nga qytetarët për shërbimet publike. “Për PS edhe në këtë mandat të ri beteja kryesore është beteja për të çliruar zyrat e shtetit nga ata individë të korruptuar, që marrin ryshfet në këmbim të një shërbimi publik. Ky mandat i tretë duhet të jetë një mandat i një goditjeje shumë herë më të fortë të çdo zyrtaruci të pandreqshëm, i cili nuk e bën shërbimin publik si duhet. Kundërshtari më i madh i PS edhe në këto zgjedhje nuk ishte as Monika, as Luli, por ishin ata zyrtarë shteti, të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre nuk ja kanë dhënë shërbimet si duhet qytetarëve. Transformimi i plotë i administratës në shërbim të plotë të qytetarëve dhe garantimi që çdo qindarkë publike që investohet, të investohet me cilësi, ne duhet ta rishikojmë gjatë mandatit të tretë”, tha Balla.
Më herët, në nisje të seancës plenare janë betuar dy deputetet e reja të Kuvendit të Shqipërisë për legjislaturën 2017-2021, pas ndarjes nga jeta të deputetit të PS-së Bashkim Finos, dhe dorëheqjes së Tom Doshit të PSD-së.
Gentiana Cakrani dhe Jetmir Rrabishta do të jenë deputet e reja për periudhën e mbetur deri në shtator kur do të nisë legjislatura e re.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




