Ballkaniada e rrjetës në Tiranë, nis të martën

Pas Evropianit të Nën-19-vjeçareve, që u mbajt para 4 vjetësh në Tiranë dhe në Durrës, dhe Evropianit të Nën-17-vjeçareve, që u mbajt vitin e shkuar në Tiranë, kryeqyteti shqiptar do të presë gjatë kësaj jave një tjetër veprimtari madhore ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Kampionatin Ballkanik të Volejbollit për Meshkuj, për grupmoshën e Nën-20-vjeçarëve, që do të zhvillohet në Tiranë, duke nisur nga e marta, deri në shtunën.
Ndeshjet do të luhen të gjitha në Sallë Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës dhe në këtë Kampionat Ballkanik do të marrë pjesë Shqipëria, Kosova, Turqia, Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
Shorti e ka vendosur kombëtaren kuqezi të kësaj grupmoshe, që do të drejtohet nga trajneri Ben Sako dhe ndihmësi Erin Sejati, në grupin A, aty ku përballë do të ketë Kosovën dhe Turqinë, ndërsa në grupin B ndodhen Bullgaria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Dhe Shqipëria do ta zhvillojë të martën në mbrëmje derbin me Kosovën, për të vijuar të enjten me përballjen me turqit. Të premten dhe të shtunën luhen gjysmëfinalet dhe finalet e këtij turneu rajonal.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




