Balluku: Nga 1 janari do të ulet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët

Ekonomi | 2 vite më parë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi të martën se nga 1 janari i vitit 2025 do të ketë një ulje të çmimit të energjisë elektrike për të gjithë qytetarët.

“Prej kohësh po punohet me OSHEE dhe KESH për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike nga 1 janari 2025″ deklaroi zonja Balluku, gjatë një vizite në zyrat e OSHEE. “Jemi në analizë e sipër dhe duke optimizuar proceset teknike do të kemi mundësi që nga 1 janari t’i ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë të energjisë elektrike” tha Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. 

Aktualisht çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri është 9.5 lekë për kilovat pa TVSH, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë për familjet. Ndërsa për pensionistët që prej vitit 2015 marrin kompensimin shtesë në pensionin e tyre për energjinë elektrike të shumës 648 lekë.

Vendimi për këtë ulje të çmimit të energjisë, vjen afro 2 vite pasi qeveria paralajmëronte rritje të çmimit të energjisë për ata që konsumonin mbi 800 kilovat në muaj për shkak të krizës së energjisë.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme