Barometri Botëror i Turizmit: Shqipëria e parë në Europë për rritjen e turistëve të huaj

UN Tourism – Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara – ka publikuar Barometrin e Turizmit për periudhën janar-korrik 2024, në të cilën konfirmohet së Shqipëria renditet e para në Europë për rritjen e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me periudhën e para-pandemisë, dhe e dyta në botë pas Katarit.
Një tjetër risi në barometrin e turizmit publikuar nga UN Tourism, është se për herë të parë njihet rritja e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar. Sipas barometrit për periudhën janar-korrik 2024, Shqipëria renditet e para sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me një rritje +128% krahasuar me periudhën e para-pandemisë.
Kjo nuk është hera e parë që UN Tourism, si organizata më e madhe botërore e turizmit, “certifikon” arritjet e industrisë së turizmit në Shqipëri, pasi edhe për vitin 2023 Shqipëria u rendit e katërta në botë për rritjen e flukseve ndërkombëtare në proporcion me popullsinë.
Në muajin prill, Organizata Botërore e Turizmit mbajti për herë të parë një event të nivelit të lartë në Tiranë, siç ishte Mbledhja e Komisionit për Europën, ku u prezantua gjithashtu edhe botimi “Doing Business in Tourism – Investing in Albania”, një botim i përbashkët i UN Tourism dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dedikuar investimeve në turizëm.
Sipas barometrit të UN Tourism, Evropa dhe Amerika rikuperuan 99% dhe 97% të
Flukseve ndërkombëtare të turistëve krahasuar me periudhën para pandemisë gjatë pjesës së parë të këtij viti, ndërsa Azia dhe Paqësori kanë treguar nivele më të ulëta rikuperimi me 82% të niveleve të vitit 2019.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




