Basha: Pensionistët, të pambrojtur për shkak të favorizimit të interesave private

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha i ka komentuar takimet e kryeministrit Edi Rama me pensionistët, si “shfaqje elektorale dhe tallje e një politikani që prej 11 vitesh ka pasur të gjitha pushtetet në dorë për t’u përmirësuar atyre jetën, por që zgjodhi të qeverisë për t’i shërbyer veç pushtetit të tij politik dhe ekonomik”.
Sipas zotit Basha, pensionistët janë të pambrojtur dhe po përballen me varfëri për shkak të korrupsionit dhe politikave që kanë favorizuar interesat private për 11 vite rresht.
Zoti Basha theksoi se programi i demokratëve euroatlantikë synon të reformojë skemën e pensioneve, duke ofruar rritje prej 20% për pensionet dhe indeksim të përvitshëm sa dyfishi i inflacionit.
Programi parashikon gjithashtu, sipas tij, një bonus të përhershëm për pensionet e ulëta dhe rimbursim të barnave për të ulur shpenzimet e larta për ilaçe.
“Shërimi i sistemit të pensioneve dhe rritja ekonomike e garantuar nga ulja e taksave, mirëqeverisja dhe lufta e gjithëanshme kundër korrupsionit, do të na mundësojë t’u japim pensionistëve shqiptarë hakun e mohuar për dekada që meritojnë”, u shpreh Basha.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




