Bashkia e Delvinës realizon një sërë investimesh, në fokus përmirësimi i jetës së banorëve dhe zhvillimi i zonës
Bashkia e Delvinës po vijon investimet në disa zona të qytetit me synim përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët. Ndër projektet kryesore përfshihen përfundimi i riasfaltimit të rrugës hyrëse në qytet, rikonstruksioni i gjimnazit “Sulejman Delvina” si edhe investimi në bibliotekën e qytetit. Punimet po zhvillohen në disa sektorë që konsiderohen të rëndësishëm për komunitetin.
“Jemi në përfundim të ri asfaltimit të rrugës hyrëse të qytetit ku tashmë është bërë i gjithë segmenti dhe vijëzimet gjithashtu një investim tjetër me bashkëfinancim me Ministrinë e Arsimit është gjimnazi “Sulejman Delvina” dhe shumë shpejt do të bëhet inaugurimi i bibliotekës së qytetit”, u shpreh Nënkryetarja e Bashkisë Delvinë, Brunilda Meleqi.
Sipas nënkryetares Brunilda Meleqi, të gjitha këto projekte po realizohen me bashkëfinancim, pasi bashkia ka një buxhet të kufizuar. Ajo theksoi se bashkëpunimi me institucione dhe programe të ndryshme ka bërë të mundur realizimin e investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
“Edhe ata që janë emigrantë kanë treguar interes për banesat e tyre sepse po shohin që Delvina po merr vëmendje”, tha ajo.
Këto investime synojnë jo vetëm përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, por edhe krijimin e më shumë mundësive për rikthimin e emigrantëve në vendlindje. Gjithashtu, projektet pritet të ndikojnë pozitivisht edhe në turizëm, duke ofruar kushte më të mira për vizitorët që zgjedhin të vizitojnë Delvinën dhe zonat përreth.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




