Basketboll Meshkuj/Tirana, triumf i vështirë në derbi

Basketbolli i meshkujve i ka dhënë fund kampionatit të rregullt me vajtje-ardhje, si në Superligë, ashtu dhe në Kategorinë e Parë, e tanimë ka zyrtarizuar ekipet e Play-off. Që do të thotë se në gjysmëfinale, të cilat nisin javën e ardhshme, Goga Basket do të luajë me Tiranën dhe Teuta me Vllazninë.
Tirana në sallën sportive “Farie Hoti” ka fituar me vështirësi ndaj Partizanit, 88-84, në ndeshjen e cila është transmetuar në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Bardheblutë e Erkan Karajit e nisin mirë ndeshjen, ndërsa kanë fituar periodën e parë 24-16. Partizani nuk e ul ritmin e lojës dhe kundërpërgjigjet menjëherë, ndërsa perioda e dytë është fituar nga të kuqtë e Erdal Borovës, 21-25 dhe në pushim Tirana është në avantazh me vetëm katër pikë diferencë, 45-41.
Partizani vijon të luajë mirë dhe arrin të fitojë periodën e dytë 20-22 dhe ngushton në dy pikë diferencë avantazhin e Tiranës, 65-63. Luhet pikë më pikë në periodën e katërt pas së cilës Tirana ka fituar 23-21 dhe në përfundim 88-84 për bardheblutë.
Sakaq Goga Basket ka humbur një tjetër në fushën e vet, edhe pse rezultati nuk kishte rëndësi për pozicionet e skuadrave në renditje. 81-80 për Teutën, e cila merr kështu fitoren e dytë të sezonit në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt, kjo pas suksesit në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Ndërkohë e ka mbyllur me fitore dhe Vllaznia, e cila ka pasur një ndeshje stërvitore ndaj Barleti-Eagles, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë, kurse në elitën e koshit shqiptar vjen Kamza Basket. Shkodranët kanë fituar 126-72.
Partizani – Dinamo në Play-out, ndërsa për femra të shtunën e 22 majit në fushën e lojës në gjysmëfinalen e Play-off do të jenë Flamurtari – Studenti dhe Partizani – Tirana. Tanimë nis lufta finale për koshin shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




