BE dhe NATO solidarizohen me Gjermaninë, Von der Leyen, Rutte:Rusia nuk do të tolerohet
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte konfirmuan se do të rrisin presionin ndaj Rusisë, përfshirë sanksione të reja, pasi Berlini fajësoi Moskën për një tentativë për sulm me dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin e Leipzigut në fillim të gushtit në Gjermani.
Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, u shpreh se “Ai ishte një sulm duke përdorur materiale ushtarake të kryer nga operativë rusë në tokën e Bashkimit Evropian. Ne nuk do ta tolerojmë. Qëndrojmë në solidaritet të plotë me Gjermaninë. Dhe nëse qëllimi ishte të na bënte të mendoheshim dy herë për të mbështetur Ukrainën, mund t’ju them se kjo vetëm sa e ka forcuar vendosmërinë time.”
Ndërsa Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, theksoi se, “Rusia është bërë gjithnjë e më e pamatur. Ndërsa vazhdon luftën kundër Ukrainës, ne kemi parë më shumë dronë dhe raketa që kalojnë në hapësirën ajrore përgjatë krahut tonë lindor, duke krijuar rrezik në rritje. Nëse Rusia mendon se do të përçahemi nga kërcënimi apo dekurajohemi nga mbështetja e Ukrainës, gabohet.”
Ndërkohë që BE-ja përgatitej për përgjigjen e saj, Gjermania bëri të ditur se ka nisur zyrtarisht hetime për terrorizëm dhe sabotim pas dy sulmeve të njëpasnjëshme ndaj rrjetit të saj elektrik.
Në të parin, autoritetet zbuluan mjete shpërthyese në një nënstacion elektrik pranë një prej termocentraleve të mëdha të vendit në Brandenburg, ndërsa incidenti i dytë përfshiu një nënstacion elektrik pranë Këlnit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




