BE dhe qeveria shqiptare, 63.5 milionë euro për aftësimin dhe punësimin e të rinjve

Ekonomi | 1 vit më parë

Punësimi i të rinjve dhe trajnimi i tyre, me qëllim një qasje më të shpejtë në tregun e punës, janë dy shtyllat kryesore që synon marrëveshja e prezantuar në Parlament, e cila bashkëfinancohet nga Qeveria Shqiptare dhe Bashkimi Evropian. Programi fokusohet në grupmoshën 15 deri 29 vjeç.

“Një pjesë e këtij buxheti do të shpenzohet pikërisht për financimin e programeve të drejtpërdrejta për mbështetjen e të rinjve në tregun e punës dhe programeve të nxitjes së punësimit, dhe pjesa tjetër do jetë për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme në zyrat e punës që do zbatojnë këtë projekt në terren”, u shpreh Olta Manjani, zv.ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ky është programi më i madh ndonjëherë i qeverisë shqiptare me fokus punësimin e të rinjve.

“Fondi total do të jetë 63.5 milionë euro nga të cilat 50 milionë euro do financohet nga BE dhe pjesa tjetër, mbi 21 %, do financohet nga buxheti i shtetit”, tha zv.ministrja Manjani.

Programi vjen në një kohë sfidash për tregun vendas, ku zv.minsitrja Manjani renditi si “inteligjenca artificiale, format e reja të punës, ndryshimet demografike, të gjitha sfida që do të adresohen përmes këtij programi”.

Programi gjithashtu synon një afrim më të shpejtë me tregun e punës për shtresat e margjinalizuara.

“Të rinjtë nga zonat rurale, të rinjtë nga grupet rome apo egjiptiane, apo të rinjtë që kanë kohë të regjistruar si të papunë”, u shpreh ajo.

Sipas INSTAT, të dhënat e vitit 2014 për papunësinë në këtë grupmoshë tregonin një nivel prej 33%, ndërkohë që ky tregues aktualisht ka zbritur në nivelin 19%, duke iu afruar mesatares së Bashkimit Evropian, e cila është rreth 15%.

Qeveria Shqiptare synon që përmes këtij programi të afrojë më shumë treguesit e tregut shqiptar të punës me ata të BE-së.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme