BE kërkon lirimin e gazetares kineze që raportoi për Vuhanin

Bashkimi Evropian bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm” të një gazetareje kineze, e cila është dënuar me burgim, pasi ka dokumentuar fazat e hershme të pandemisë së koronavirusit në qytetin e Vuhanit.
Zhang Zhan është dënuar të hënën me katër vjet burgim, pasi është shpallur fajtore për “provokimin e telasheve” – një akuzë kjo që shpesh ngrihet kundër aktivistëve në Kinë.
Në një deklaratë të lëshuar të martën, BE-ja shprehu shqetësimin e saj në rritje për “kufizimin e lirisë së shprehjes dhe të qasjes në informacion, për frikësimin dhe mbikëqyrjen e gazetarëve, si dhe për ndalimet, gjykimet dhe dënimet e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe të intelektualëve në Kinë”.
Po sipas deklaratës, burime “të besueshme” kanë thënë se Zhang është torturuar në burg.
Zhang, e cila është arrestuar në maj, është një prej disa gazetarëve që janë përballur me probleme, për shkak të raportimit për situatën në Vuhan – qytetin e parë kinez ku ka shpërthyer koronavirusi.
Zhang, 37 vjeçe, ka qenë në grevë urie disa muaj dhe avokatët e saj thonë se gjendja e saj shëndetësore është e dobët. Zhang është arrestuar edhe në vitin 2019, pasi ka shprehur mbështetje për aktivistët pro demokracisë në Hong Kong.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




