BE kërkon nga Kosova formimin e qeverisë. Marta Kos i drejtohet Kurtit në Samit: Përqendroni energjitë te integrimi

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes së BE-së mbajtur në kryeqytetin maqedonas, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, foli edhe për Kosovën dhe nevojën për formimin e qeverisë së re.
“Po presim që qeveria e re të vendosë më në fund më shumë energji në procesin e anëtarësimit,” tha Kos.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të integrimit, ndërsa Plani i Rritjes synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.
Komisionerja evropiane tha se ua ka bërë të qartë liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor se është përgjegjësi e tyre zbatimi i reformave në mënyrë që popujt e rajonit të përfitojnë nga Plani i Rritjes i BE-së me vlerë 6 miliardë euro.
Nga ky fond Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë euro, ku mbi 253 milionë euro janë grante dhe pjesa tjetër kredi afatgjata. Teksa disa shtete kanë njoftuar se kanë marrë fondet e para nga BE-ja, Kosova ende nuk ka arritur të përfitojë pasi nuk ka ratifikuar dy marrëveshje ndërkombëtare dhe shkak për këtë është bërë moskonstituimi i legjislaturës së 9 të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kosova në takim u përfaqësua nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili konfirmoi se në takimin me liderët e rajonit u diskutua plani i rritjes së BE-së, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




