BE miraton paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë

Europë | 1 vit më parë

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar të premten për miratimin e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, si dhe për uljen e çmimit tavan për eksportet e naftës ruse.

Paketa e 18-të e ndëshkimeve ekonomike ndaj Rusisë, që kur ajo nisi pushtimin e vendit fqinj më 2022, u miratua pasi Sllovakia hoqi dorë nga kundërshtimi disa javor, pas bisedimeve me Brukselin lidhur me planet për t’i hequr gradualisht importet e gazit rus.

Paketa parashikon, ndër të tjera, një ulje të çmimit të naftës ruse të lejuar për eksport.

Konkretisht, paketa e fundit e sanksioneve kundër Rusisë do ta ulë çmimin maksimal të naftës bruto të G7-ës në 47.6 dollarë për fuçi.

Më parë, limiti ishte vendosur në 60 dollarë për fuçi, një çmim që konsiderohej shumë i lartë, duke pasur parasysh nivelin aktual të çmimeve të naftës në treg.

Paketa e sanksioneve ndalon gjithashtu transaksionet që lidhen me tubacionet e gazit Nord Stream të Rusisë dhe sektorin financiar të Rusisë.

“BE-ja sapo ka miratuar një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më sot”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kalas, për X.

“E mirëpres marrëveshjen për paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë. Po godasim në zemër të makinës së luftës së Rusisë. Po synojmë sektorët bankarë, të energjisë dhe ushtarako-industrialë, duke përfshirë edhe një kufizim dinamik të çmimit të naftës. Presioni duhet të vazhdojë derisa Putini t’i japë fund kësaj lufte”, shkroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në X.

Franca gjithashtu e mirëpriti vendimin. “Së bashku me Shtetet e Bashkuara, ne do ta detyrojmë Vladimir Putinin të arrijë një armëpushim” në Ukrainë, të cilën Rusia e pushtoi në vitin 2022, shkroi Ministri i Jashtëm Francez Jean-Noel Barrot në X.

Kjo u parapri nga heqja e kundërshtimeve nga Sllovakia, e cila kishte shprehur shqetësime në lidhje me mjaftueshmërinë e gazit pasi është e varur nga Rusia.

Sipas informacioneve, për të ndryshuar qëndrimin e saj, Bratislava siguroi garanci nga Komisioni Evropian për ndihmë në rast të mungesës së gazit, rritjes së çmimeve, tarifave të transmetimit ose ndërlikimeve ligjore, sipas kryeministrit sllovak Robert Fico.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme